geokos.org

Klimat e nxehta dhe të lagëta

klasifikimi i klimave ne ter globin sipas kopenit Klasifikimi i Klimave sipas Klimatologut Rus Vladimir Kopen Klimat e nxehta e të lagëta të zonës ndërtropikale dallohen para së gjithash për temperaturat e larta, të cilat lidhen me mungesën e një dimri të vërtetë. Ndërkohë, ndryshojnë shumë si lartësia e reshjeve ashtu dhe shpërndarja e tyre. Pikërisht në bazë të ndryshueshmërisë së reshjeve dallohen dhe klasifikohen tipet e ndryshme të klimave të këtij grupi. Këto ndryshime janë të kushtëzuara nga postimi nëpër gjerësitë gjeografike të gjithë kësaj zone të nxehtë, të lëvizjes së dukshme të diellit, ndërsa në pjesën qendrore ngelet një brez që gjatë gjithë vitit është i pushtuar nga presionet e ulëta ekuatoriale, pra i privuar nga stinët, në të dy anët e saj klimat e nxehta ofrojnë një ndryshueshmëri stinore, që përkon me periudhat kur dielli ngrihet më lart, me zonën e konvergjencës së Alizeut reshje dhe në pjesën tjetër të vitit me presionet e larta tropikale thatësirë. Në zonat më pranë tropikëve reshjet bëhen më të pakta, ndërkohë që në klimën e mirëfilltë tropikale ka vetëm një stinë të lagët 4-5 muaj e cila pasohet nga një periudhë thatësire. Klimat e nxehta të lagëta përfshihen brenda izotermit 18°C për muajin më të ftohtë.

Klimat Ekuatoriale (Af)

klima ekuatoriale Af Vendet me Klimë Ekuatoriale ( Af ) Klimat ekuatoriale karakterizohet nga një uniformitet i madh i regjimit termik dhe i shpërndarë mjaft mirë në të gjithë muajt e vitit. Në këtë klimë përfshihen zona e Kongos dhe Amazonës, Insulindia, Sri Lanka, gjiri i Guinesë dhe mjaft ishuj të Arqipelagut të Paqësorit qendror e perëndimor. Përgjithësisht klima ekuatoriale shtrihet në të dy anët e ekuatorit deri në gjerësitë gjeografike 5-10 gradë por që mund të arrijë sidomos në hemisferën veriore deri në 15-25 gradë. Natyrisht, nuk mungojnë dhe anomalitë, në ekuator p.sh. gjenden zona me klimë jo ekuatoriale si: Sumatra, apo dhe zona në pjesën lindore të pellgut të Amazonës, ku temperaturat janë vërtet të larta gjatë gjithë vitit, por reshjet kanë një maksimum mjaft të përcaktuar, ndërkohë që në Somali dhe Galapagos pothuajse ka kushte të shkretëtirës. Diferenca midis temperaturave të muajve të ndryshëm është mjaft e vogël. Në Manaus – Amazonë, diferenca nuk i kalon 2.1°C, Singapore 1.3°C, në ishujt Marshall 1°C, por kurrë në këtë zonë diferenca nuk i kalon 4°C. Temperaturat mesatare mujore luhaten në 25-26°C dhe sidoqoftë nuk janë shumë të larta, siç ndodhë në zonat e shkretëtirës. Pak më e theksuar paraqitet ecuria 24 orëshe e temperaturës. Nëse ndryshimet vjetore janë 2°C në Bolobo të Kongos, ato ditore janë 10-20°C. Në mesditë këtu shënohen vlerat 32-34°C dhe gjatë natës 20-24°C. Erërat janë të rralla, me përjashtim të zonave bregdetare ku vrojtohen brizat detare, të cilat sikur e bëjnë këtë tip klime disi më të pranueshme për njeriun. Në raste të rralla Alizeu vjen deri në afërsi të Ekuatorit, duke sjellë mot të kthjellët e të thatë, siç është rasti i Hartmattan-it, erë që arrin në brigjet e gjirit të Guinesë. Në këtë zonë klimatike vranësira është gjithashtu e lartë. Ajo karakterizohet me një ndryshueshmëri mesatarisht nga 5 deri në 6 ballë dhe gjatë vitit numërohen më pak se 20 ditë me qiell pa re. Vrojtohen 200-220 ditë me reshje dhe me maksimum 243 ditë në Indonezi, Amazonë dhe 300 ditë në Kolumbi. Lartësia e reshjeve arrin në 1500-2500 mm në vit, por në zona të caktuara vrojtohen dhe vlera shumë më të larta si në Kamerun 9960 mm 10metra apo Kolumbi.

Klima Musonike (Am)

Klima Musonike (Am) Vendet me Klimë Musonike (Am) Ky tip i klimës së nxehtë afrohet mjaft me atë ekuatoriale, edhe pse paraqet karakteristika të ndërmjetme, midis kësaj të fundit dhe asaj tropikale Aw, nga e para ajo merr sasinë e lartë të reshjeve ndërsa nga e dyta shpërndarjen stinore të reshjeve. Tipike për këtë tip klime është pozicionimi përgjatë brigjeve tropikale, shpesh të dominuar nga zona malore e rrafshnalta, në të cilat në periudhat kur Dielli afrohet në Zenit, ka një fluks të madh të ajrit detar. Këto erëra sjellin një shpërndarje të caktuar stinore të reshjeve, të cilat me gjithë ekzistencën e një periudhe të thatë janë kaq të bollshme, sa për të furnizuar burime të tëra nëntokësore, që ndërkohë i shoqëron një vegjetacion i zhvilluar prej pyjesh të dendur të ngjashëm me ato të zonës ekuatoriale. Zonat me klimë Musonike ndodhen në disa raste përtej 20 gradëve gjerësi gjeografike dhe megjithatë kushtet termike nuk janë të ndryshme nga ato ekuatoriale, falë pozicionit të tyre detar dhe lagështisë së vetë këtyre erërave të Alizeut, që tenton të zbusë ekstremet termike. Megjithatë, diference midis muajit më të ngrohtë dhe atij më të ftohtë është paksa më e lartë se ajo në ekuator 7-8°C. Temperatura mesatare arrin vlerat më të larta në periudhën e thatë, kur qielli është i pastër e kur Dielli është në Zenit, më pas vranësira e lartë dhe reshjet sjellin një ulje të temperaturës. Ky tip klime ndodhet në Azi, në pjesën jugperëndimore të Indisë bregu i Malabarit, në deltën e Gangut, në Bramaputra, në brigjet e Birmanisë dhe gadishullin e Malakës ku pjesa jugore ka klimë A), në pjesën lindore të Indokinës Vietnam dhe në ishujt më verorë të Arqipelagut të Filipineve, në Afrikë, në pjesën perëndimore të brigjeve të gjirit të Guines, Liberi, Bregu i Filidishtë, në Amerikë, në pjesën lindore të pellgut të Amazonës, bregut të Guajanës dhe në ishujt e Arqipelagut të Antileve.

Klima Tropikale (Aw)

klima tropikale ne Filipine Pamje nga nje ishullë në Tajland ku mbretron klima Tropikale . Klima tropikale dallohet nga ajo ekuatoriale si për sasinë më të vogël vjetore të reshjeve ashtu edhe për faktin që regjimi pluviometrik paraqet dy stinë mjaftë të dallueshme, një të lagët dhe një pothuajse të thatë, pikërisht mungesa e fortë e reshjeve në këtë periudhë e dallon nga tipi (Am). Kalimi në këtë tip klime (Aw) pasqyrohet edhe nga një zëvendësim i pyllit ekuatorial me Savanën. Për sa i përket shpërndarjes zonale mund të thuhet se klimat tropikale (Aw) përgjithësisht ndodhen midis 6-10° dhe 15-20° gjerësi gjeografike mesatare. Në anën nga ekuatori ato kufizohen me klimat (Af) dhe në anën tjetër me klimat e thata (B) ose ato subtropikale (Ca). Duke ju referuar shpërndarjes së zonave të presionit mbi tokë mund të thuhet se klimat (Aw) ndodhen midis brezit ekuatorial presion të ulët dhe qendrave anticiklonare të gjerësisë gjeografike subtropikale. Në fakt postimi stinor i zonës së konvergjencës ndërtropikale bën që në periudhën me lartësinë më të madhe të Diellit mbi horizont këto zona të jenë nën efektin e masave ajrore ekuatoriale të lagëta e të paqëndrueshme dhe në stinën tjetër nga ajri i thatë me origjinë nga qendrat subtropikale anticiklonare (Alizeu). Klimat (Aw) karakterizohen nga një stinë vere me reshje dhe nga një dimër nëse mund të flitet për dimër në tropik të thatë.
Vendet me klimë Tropikale Vedet ku mbretron klima Tropikale ( Aw ) . Zonat me klimë tropikale ndodhen në Afrikë në dy zona të ndara, ku njëra ndodhet në veri të ekuatorit Guine-Sudan dhe tjetra midis Angolës dhe Mozambikut, në Amerikën veriore ka gjithashtu dy zona, njëra në hapësirën Venezuelë – Kolumbi, e tjetra në pjesën qendrore të Brazilit. Po ashtu ka klimë tropikale në Australinë Veriore dhe Azinë Jugore, në Indinë Qendrore e Lindore, Birmani e Tajlandë. Për sa i përket regjimit termik ai është i ngjashëm me atë të tipit (Am), si për faktin se temperatura mesatare është e lartë në të gjithë muajt ashtu edhe për faktin se zgjatja e ditës varion pak nga një stinë në tjetrën. Njerëzit në këto zona e ndajnë klimën vetëm në tre stinë: stina e freskët, në periudhën kur Dielli është më i ulët në horizont, ajo më e ngrohtë me 2-3 muaj që paraprijnë ardhjen e reshjeve dhe stina e nxehtë dhe e lagët gjatë periudhës me reshje. Edhe në muajt më të freskët temperaturat arrijnë 28-32°C gjatë orëve më të nxehta të ditës, por lagështia relative mjaft e ulët e bën vapën më pak mbytëse. Gjatë natës termometri zbret nën 20°C dhe në disa raste dhe nën 15°C. Në muajt më të nxehtë të vitit që pasojnë ekuinoksin e pranverës, temperaturat mesatare ditore shënojnë 31-38°C. Në maj, muaji më i nxehtë, temperaturat mund të kalojnë 32°C, së paku në zonat larg detit. Gjatë periudhës me reshje kjo ecuri zbutet por vapa e shoqëruar me një shkallë të lartë lagështie është mjaft e padurueshme për njeriun. Për sa i përket reshjeve, në tërësi ato nuk janë të mëdha dhe bien në një stinë të vetme, që pasohet me një stinë të thatë që është gjithnjë e më e gjatë sa më shumë i afrohemi zonave me presion subtropikal.

Klimat e thata (B)

Klimat e thata (B) Klimat e thata (B). Fillimisht duhet thënë se shkencëtarët për të konsideruar klimën si të thatë bazohen në faktin kur fillon e bëhet deficitar (negativ) bilanci midis reshjeve dhe avullimit potencial. Por, sidoqoftë ngelet e vështirë për të përcaktuar madhësinë e avullimit dhe kësisoj për të përcaktuar shkallët e ndryshme të thatësirës. Për këtë qëllim zbatohen metodologji të ndryshme, rezultatet e të cilave ndryshojnë nga njëra-tjetra, por gjithsesi rezulton se rreth 30% e gjithë sipërfaqes së tokave të rruzullit karakterizohen nga klimat e thata, prej të cilave 17% përfaqësohen nga zona totalisht të thata. Mbi dete e oqeane ato zënë një sipërfaqe më të vogël e të kufizuar në vlerë të afro 4-5%. Rreth gjysma e Australisë dhe Afrikës karakterizohet me klima të thata dhe gjysmë të thata. Thatësira ekstreme ose klima super e thatë okupon rreth 14% të sipërfaqes në Afrikë. Gjithashtu dhe në Azi e Amerikë ekzistojnë zona me klimë të thatë, ndërsa në Evropë, ku klima tërësisht e thatë mungon, ka disa zona me shtrirje të kufizuar në tre gadishujt mesdhetarë dhe ishujt pranë tyre të karakterizuar me klimë gjysmë të thatë.

Klima e thatë e nxehtë (BWh)

Klimat e thata (Bwh) Vendet ku mbretron Klima e thatë e nxehtë ( BWh ). Ky tip klime karakterizon shkretëtirat tropikale dhe subtropikale që shtrihen midis gjerësive gjeografike 15 e 25°, por që ekstremet e tyre arrijnë deri në 6-7° dhe 30°. Ato përfshijnë zonat qendrore e perëndimore të kontinenteve, por jo ato lindore, ku klimat e nxehta e të lagëta paraqesin një shtrirje të konsiderueshme në gjerësi gjeografike. Tepër larg nga ekuatori për tu arritur nga spostimet stinore të masave të ajrit të zonave ndërtropikale dhe mjaft mirë të mbrojtura nga presionet subtropikale për tu arritur nga frontet e ciklonet e zonës së tërësive gjeografike mesatare, por të karakterizuara vazhdimisht nga lëvizje zbritëse të ajrit të thatë e të qëndrueshëm, këto hapësira shkretëtirash mund të ngelin të privuara nga reshjet për shumë vite rresht. Totali i reshjeve vjetore është më i ulët se 2.50mm, por në pjesën më të madhe të Saharasë thatësira është më e theksuar, pasi reshjet nuk i kalojnë 100 mm. Kushte të njëjta regjistrohen në Afrikë dhe në shkretëtirën e Kalaharit, në Azi në shkretëtirën e Arabisë dhe në atë të Thar – India, në Australi në shkretëtirën e Sonores, në Amerikën Veriore midis SHBA e Meksikës. Lartësia e reshjeve në disa raste zbret në vlera pothuajse josinjifikative: në Kajro regjistrohen 2.5mm në vit, në Alice Springs 21mm dhe në In Salah të Saharasë vrojtohen vetëm pak milimetra në vit. Megjithatë, lartësitë mesatare nuk kanë një vlerë domethënëse si dhe nuk japin një pamje të saktë të reshjeve në shkretëtirë pasi ato janë dhe shumë të parregullta në lidhje kohore, duke shënuar devijime deri në 50% nga mesatarja. Ka dhe raste ekstreme të cilat nuk të lejojnë të flasësh për mesatare, si p.sh. në Kajro nuk janë vrojtuar reshje për 17 vite ndër 30, në Iquine në 21 vite janë vrojtuar 1.5 mm. Reshjet edhe kur arrijnë, bien kryesisht në formë shtrëngatash me karakter konvektiv dhe përfshijnë sipërfaqe të kufizuara. Masa e ajrit karakterizohet nga një nivel mjaft i ulët i lagështisë relative që arrin dhe vlera nën 10% gjë që ndërkohë e bën më të durueshme për njeriun vapën e madhe. Krahas mungesës së reshjeve e temperaturës së lartë një element tjetër i kësaj klime është drita e diellit mjaft e fortë që pothuajse të verbëron. Ecuria vjetore e temperaturës arrin vlera shumë të larta që mund të arrihen në kuadrin e klimave të nxehta, dhe pothuaj barazon atë ditore. Vlerat mesatare variojnë nga 19-22 °C, por përgjithësisht ndryshueshmëria ditore është më e fortë pasi temperaturat maksimale ditore në muajt më të nxehtë arrijnë vlera shumë të larta, ku p.sh. përmendim se maksimumet absolute që regjistrohen në shkretëtirat e nxehta të El Aziza shënojnë vlerën 58 °C . Një karakteristikë tjetër e rëndësishme e klimës së shkretëtirës është dendësia e erërave, të cilat janë mjaft të forta në shumë raste dhe që paraqiten të papritura e herë herë të vrullshme apo herë herë më të qëndrueshme siç janë Gabli në Libi, Kamsin në Egjipt, dhe Simun në shkretëtirën e Arabisë, që formohen pikërisht në zonat të cilat ngrohen shumë dhe nga ku fryjnë me mjaft vrull duke transportuar sasi të mëdha rëre e pluhuri. Shkretëtirat bregdetare (BWs) - Karakteristikat tipike të shkretëtirave tropikale, d.m.th temperaturat ditore mjaft të larta dhe lagështia e ulët relative, pësojnë modifikime shumë të rëndësishme në shkretëtirat që shtrihen përgjatë brigjeve perëndimore të kontinenteve gjithnjë në gjerësitë gjeografike tropikale, si shkretëtira Kiliano – Peruane, Sahara Perëndimore midis Marokut dhe Senegalit, shkretëtira e Namib në Afrikën Jug-Perëndimore dhe së fundi ajo e Kalifornisë së Ulët në Meksikë. Këto zona ndodhen nën influencën e rrymave të ftohta detare që vinë nga gjerësitë gjeografike më të larta këtu bashkohen ujërat e ftohtë të thellësive që ngjiten përgjatë shpateve kontinentale dhe për rrjedhojë nuk paraqesin temperatura shumë të larta në asnjë muaj të vitit, bile vlerat mesatare janë përgjithësisht më të ulëta me 6-7 °C kundrejt atyre zonave të tjera tropikale të po të njëjtave gjerësi gjeografike, si p.sh. në Callao – Peru, temperatura mesatare është 19.4 °C, ndërsa në Salvador (Bahia) në po të njëjtën gjerësi gjeografike dhe në brigjet Atlantike të Brazilit regjistrohen 25 °C. Ecuria vjetore e temperaturës për shkak të influencës së detit dhe lagështisë së ajrit është mjaft më pak e luhatshme dhe nuk i kalon 6 C°, p.sh. në Callao nuk i kalon 4.7 °C, në Port Nollok në Afrikën Jug-Perëndimore 3.4 °C, ndërkohe që është rreth vlerave 20 °C në shkretëtirat më të brendshme 18.9 °C në Kairo. Me gjithë lagështinë e madhe të ajrit, reshjet janë mjaft të kufizuara dhe pikërisht në këto shkretëtira bregdetare reshjet janë një fenomen pothuaj i panjohur, ndërkohë që duhet thënë se një gjendje e tillë thatësire shtrihet deri në pak gradë nga ekuatori, ku përgjegjëse për klimën ngelen rrymat e ftohta detare. Lagështia e lartë shoqërohet me një frekuencë të madhe të reve, pasi pikëzat e ujit avullojnë gjithnjë e më shumë me kalimin e masës së ajrit për në brendësi të kontinenti, ku temperaturat janë mjaft të larta. Natyrisht, në këto raste formohen disa shtresa resh që prodhojnë një shi të imët, siç është Garua në Peru.

Klima gjysëm e thatë e ngrohtë (BSh)

Klima gjysëm e thatë e ngrohtë (BSh) Vendet me Klimë gjysëm të thatë dhe të ngrohtë (BSh) Zonat me klimë gjysmë të thatë përfaqësojnë zonat tranzicioni midis shkretëtirave të mirëfillta dhe klimave të largëta. Këto tipe shkretëtirash vendosen midis zonës polare dhe klimave të gjerësive gjeografike mesatare, ndërsa në anën ekuatoriale shënojnë kalimin drejt klimave të lagëta (Aw). Në Afrikën Veriore, që ofron shembullin më klasik të këtij kalimi ka dy breza të dallueshëm të klimës së stepës, një në veri të Sahrasë që arrin deri në brigjet e Mesdheut dhe një në Jug në kufi me vendet e Savanës. E para, që mund të quhet edhe si një degradim në sensin e thatësirës të klimës Mesdhetare (me reshje dimërore), gjen hapësirat e saj në lindje të Jordanisë, në Mesopotani, në Arabi dhe në pjesën veriore të Iranit. Gjithashtu ka zona të tjera gjysmë të thata me pozicion të ngjashëm në pjesën Vri-Perëndimor të Meksikës dhe në afërsi të SHBA, si dhe në Australinë veriore. Në anën ekuatoriale të Sahrasë, brezi tjetër i klimës (Bsh) merr në të kundërt një sasi reshjes gjatë periudhës verore me Diellin më në lartësi (Zenit), për pasojë të kalimit të qendrave ndërtropikale në drejtim të polit. Në pozicion të ngjashëm me zonën e Saharasë veriore ndodhen zonat gjysmë të thata të Afrikës Jug-Perëndimore, që kufizohen me klimat e gjerësive gjeografike mesatare, ku reshjet e pakta bien përgjatë stinës së dimrit, kur trajektoret e cikloneve të gjerësive gjeografike mesatare afrohen në maksimum me tropikët, ndërkohë që thatësira okupon pjesën më të madhe të vitit.

Klimat gjysëm të thata të gjërsive gjeografike mesatare (BWk - BSk)

Klima gjysëm e thatë (BWk) Vendet ku mbretron Klima (BWk - BSk) Zonat me klimë të thatë dhe me dimër të ftohtë shtrihen në zonat e gjerësive gjeografike mesatare (temperate) dhe sidomos në hemisferën veriore. Thatësira në këto zona nuk ka të bëjë shumë me qarkullimin e përgjithshëm të atmosferës, por me kontinentalitetin dhe praktikisht me ekzistencën e zinxhirëve malorë, të cilët frenojnë erërat e lagëta që vijnë nga deti dhe për rrjedhojë shkalla e thatësirës dhe shtirja e këtyre zonave shkretëtinore në gjerësi gjeografike mesatare janë përgjithësisht proporcionale me hapësirën e kontinenteve ku vërehen, (dhe në të kundërt) dhe me lartësinë e relievit që i ndan nga deti. Klimat e thata e gjysmë të thata të gjerësive gjeografike mesatare gjenden në ultësirën e Aralo-Kaspike pranë me tokat e Uzbekistanit, në Mongoli në pjesën ku shtrihet shkretëtira e Gobit, në Kinën Perëndimore aty ku ndodhen stepat e Zugnaria-s dhe shkretëtira e Takla Makan-it, në Iranin lindor e veri lindor në pjesën ku shtrihet shkretëtira e Lutit, në disa pellgje të mbyllur midis Kordiliereve Perëndimore në Amerikën e Veriut (Pellgu i Madh) dhe përgjatë brezit të tokave gjysmë të thata, që shtrihen në lindje të shkëmbinjve të Kolorados së Albertës. Zonat më tipike të këtyre shkretëtirave okupojnë pellgje të mbyllur e të rrethuar nga zinxhirë të lartë malorë si shkretëtira e Takla Makanit dhe shpesh ndodhen në zona depresionare, për pasojë jo vetëm nuk marrin ajrin e lagët të oqeanit, por regjistrojnë me frekuencë të lartë erëra që zbresin nga shpatet, të ngjashme me fjonin duke e theksuar më tej dukurinë e thatësirës. Në Azinë qendrore ruse, zonat e shkretëtirave ose subshkretëtirave me ngjashmëri mesdhetare gjenden më në jug se ato me tendencë kontinentale, ku reshjet sigurisht nuk janë të shumta, por bien pothuaj përgjatë gjithë vitit. Vija ndarëse midis dy regjimeve kalon midis pjesës jugore meridionale të ultësirës së Kara Bugas në detin Kaspik dhe fillimit të zingjireve malore të Tien Shan-it. Më në lindje reshjet e verës janë më mbizotëruese. Një karakteristikë tjetër e gjithë klimave të thata është frekuenca e madhe e erërave. Dukuria është e njohur që nga koha e Marko Polos, që vizitoi shkretëtirën e Azisë qendrore. Gjithashtu J.Huntington ka konstatuar dhe përshkruar violencën dhe qëndrueshmërinë e jashtëzakonshme të këtyre erërave që fryjnë në periudhën më të ngrohtë të vitit në Iranin lindor, ku ato quhen apo emërtohen me emrin ( Era e 120 ditëve ).

Klimat e gjerësive gjeografike mesatare, të lagëta (C)

Klimat e gjersive mesatare(C) Klimat e gjerësive gjeografike mesatare, të lagëta (C) Ndryshe nga klimat ndërtropikale, të karakterizuara me temperatura të larta në të gjithë muajt dhe nga klimat polare, ku ajo që bie në syë është i ftohëti i madh i cili pothuaj shoqëron të gjithë vitin, klimat e gjerësive gjeografike mesatare paraqesin një cikël termik stinor mjaft të dallueshëm, që varet nga ndryshueshmëria e madhe e lartësisë së Diellit mbi horizont në dy muajt ekstrem. Një karakteristikë tjetër themelore e klimave të gjerësive gjeografike mesatare paraqitet nëpërmjet ndryshueshmërisë së madhe të motit, gjë që derivon nga fakti se zonat e gjerësive gjeografike mesatare ndodhen në fushën e ballafaqimit midis masave të ajrit të ftohta polare dhe atyre më të nxehta që vinë nga tropikët, kjo është edhe arsyeja përse paqëndrueshmëritë ciklonare të qarkullimit perëndimor, me ndryshimet e shpejta të motit me të cilat janë të lidhura paraqiten me interes për oqeanet dhe kontinentet midis gjerësive gjeografike 40 e 60 gradë. Nuk është rastësisht që shkenca e parashikimit të motit është e zhvilluar në vendet e Evropës Perëndimore, ku variacionet e motit jo të rregullta e jo periodike janë një normë. Përsa i përket shpërndarjes gjeografike mund të konstatojmë që klimat e gjerësive gjeografike mesatare (mesotermike) të lagëta ndodhen kryesisht ose në afërsi të tropikëve, ku për arsye të gjerësive gjeografike nuk mund të kenë dimra shumë të ftohtë ose përgjatë brigjeve (dhe natyrisht jo larg tyre). Klimat e gjerësive gjeografike mesatare përmbajnë tre grupe të ndryshme, dy prej të cilave emërtohen subtropikale dhe okupojnë zona pranë tropikut. Një prej tyre klima (Csa) ose klima me verë të thatë është përgjithësisht e njohur me emrin Klima Mesdhetare, duke u shprehur mjaft qartë përgjatë brigjeve Euroafrikane të detit Mesdhe, ndërsa klima tjetër (Cfa), reshjet më të shumta i ka në tre muajt e verës. Në formën më tipike ky tip klime vrojtohet në Kinën Lindore të cilat shkencëtari De Martone e quan dhe ( Klima Kineze ). Tipi i tretë klima (Cfb) ka një verë të freskët dhe me reshje të shpërndara mjaft mirë gjatë gjithë vitit, gjë që shpjegohet me faktin se zonat ndodhen në pjesën perëndimore të kontinenteve të gjerësive gjeografike mesatare dhe nën influencën direkte të qarkullimit perëndimor e influencës së oqeanit, që ka quar dhe në emërtimin (Klima Oqeanike).

Klima subtropikale me verë të thatë – Csa dhe Csb (Mesdhetare)

Klima Mesdhetare(Csa) Vendet ku mbretron Klima Subtropikale - Mesdhetare (Csa dhe Csb) E ndodhur në pozicionin transitor midis zonës së thatë të gjerësive gjeografike mesatare dhe asaj tropikale, klima mesdhetare paraqet karakteristika klimatike të njërës dhe tjetrës, nga e para merr dimrin dhe nga e dyta verën. Ajo shtrihet në pjesën perëndimore të kontinenteve midis 30 e 40 gradëve (dhe deri 45) në Evropën Mesdhetare. Edhe pse përgjithësisht është e kufizuar në një brez të ngushtë bregdetar si në Kaliforninë Amerikane, në Kilin qëndror, në Afrikën jugore (krahina Capo) dhe Australinë Veriore, ku male të larta pengojnë depërtimin e influencës detare drejt brendësisë, në Evropën Jugore dhe Azinë perëndimore përkundrazi ky tip klime okupon një sipërfaqe shumë më të madhe. Karakteristikat kryesore janë: butësia e dimrave, një diellzim efektiv që arrin një përqindje shumë të lartë kundrejt atij të mundshëm, veçanërisht në verë dhe përqendrimi i reshjeve të cilat veçanërisht janë më të shumta gjatë muajve të ftohtë, pasi vera është pothuajse e thatë e pa reshje. Ky shoqërim i një vere të thatë me një dimër me reshje, e parë në kuadrin planetar parqet një anomali të vërtetë pasi nëse përjashtojmë zonat me klimë ku dominon oqeani (ku bie shi në çdo muaj) dhe shkretëtirat (ku nuk bie shi kurrë), në çdo skaj tjetër të botës nga Siberia në Sudan, reshjet në më të shumtën bien në stinën e verës. Në bazë të temperaturës së muajit më të ngrohtë që varet nga pozita gjeografike dallohen dy nëntipe të klimës mesdhetare (Csa dhe Csb). Në të parën, në të cilën muaji më i ngrohtë me një mesatare që është përtej 22 °C gjendet përgjatë brigjeve të Mesdheut dhe ato të Lindjes së Afërme, ndërsa në zonat me klimë Cs që ndodhen përtej detit Adriatik, temperatura e muajit më të ngrohtë nuk arrin 22°C ose dhe 20°C, p.sh., në Es-Saoundra – Marok, në korrik shënohet 20 °C, në Santa Monika dhe San Francisko (USA) nuk regjistrohet respektivisht më shumë se 18.8°C dhe 17.7°C. Kjo i dedikohet rrymave të ftohta që influencojnë në uljen e temperaturave të muajve të verës.

Klima subtropikale e lagët – (Cfa-Kineze) dhe (Cwa)

Vedet me klimë Subtropikale Vedet ku mbretron klima Subtropikale . Klima subtropikale e lagët ndodhet në të njëjtën gjerësi gjeografike me atë Mesdhetare, por në lindje të kontinenteve pra në lindje të zonave të thata e gjysmë të thata që ndodhen në zonat më të brendshme. Në këtë tip klime (Cfa) futet Kina lindore në hemisferën veriore, pjesa më e madhe e Japonisë, pjesa qendrore e lindore e SHBA në lindje të meridianit 100 gradë dhe në jugë të paralelit 41°, në hemisferën Australe përfshihet ekstremiteti meridional i Brazilit, Urugaj e Argjentina veriore deri tek një vijë që përmbledh Rosario-n dhe Bahia Blanca, pjesën juglindore të Australisë midis Sidneit dhe Tropikut dhe Afrikën, Australe midis Port Elisabet dhe Mozambikut. Në Azinë lindore pranë zonave me klimë (Cfa), por në pozicion më të brendshëm ndodhen zona në të cilat mungojnë reshjet në stinën e dimrit (Cwa), ku përfshihen Kina qendrore, Birmania e brendshme dhe India veriore. Reshjet janë më të pakta në afërsi të zonave detare, bën përjashtim për ultësirat që kanë në shtëpinë e tyre relieve të larta dhe për pjesën më të ulët të tyre ku temperaturat janë ende të larta dhe reshjet shumë të forta. Këtu mund të përmendet Ultësira Indiane Veriore dhe pjesët më të ulëta të zonës së Himalajeve. Klima (Cfa) dallohet nga ajo Mesdhetare përveç pozicionit gjeografik dhe për karakteristikat të tjera kryesore si për lartësinë mesatare të reshjeve më të mëdha dhe për shpërndarjen më të rregullt gjatë vitit ku nuk ekziston as edhe një muaj i thatë. Arsyet për këtë tip regjimi të reshjeve lidhen me faktin se pjesët lindore të kontinenteve gjatë verës preken më shumë nga masat ajrore të paqëndrueshme të pjesëve perëndimore të ekstremeve të anticikloneve subtropikale, ndryshe nga klimat mesdhetare që ndodhen nën influencën e pjesës qendrore ose lindore të këtyre qendrave me presion të lartë.

Klima e gjërsive Gjeografieke mesatare oqeanike (Cfb)

Klima e gjërsive Gjeografieke mesatare oqeanike (Cfb) Klima e gjërsive Gjeografieke mesatare oqeanike (Cfb) Ky tip klime ndodhet në një pozicion gjeografik mjaft të përcaktuar d.m.th në pjesën perëndimore të kontinenteve në gjerësi gjeografike midis 40 dhe 60 gradëve prej Galicia e Spanjës deri në Norvegjinë qendrore, pjesa e bregut Amerikano verior në Pacifik nga shteti i Washingtonit deri në Alaskë, Kili verior, Tasmania dhe Zelanda e Re. Depërtimi në brendësi të kontinenteve varion sipas kushteve të relieft. Në zonat ku zinxhirët malore shtrihen paralel me bregun si në veri e jug të Amerikës dhe Skandinavisë, klima oqeanike ngelet e kufizuar në një brez të kufizuar, që ndjek ecurinë e bregut ndërsa në zonat ku mbizotërojnë ultësira si midis gjirit të Biskajës dhe Detit të Veriut, klima e Atlantikut shtrihet mjaft dhe në brendësi të territorit duke pësuar një transformim progresiv në sensin e kontinentalitetit. Variabiliteti i motit është pikërisht një prej karakteristikave kryesore të klimës oqeanike së cilës i shtohet frekuence e madhe dhe intensiteti i erës mbi brigjet e Atlantikut më saktë në Brest, ndërsa gjendjet e qetësisë nuk arrijnë as 10% të të gjithë vrojtimeve anemometrike, kundrejt vlerave 45% në Strasburg dhe nëse erërat me shpejtësi mbi 55km/orë vrojtohen të paktën 80 herë në vit, kjo frekuencë është 6 herë më e vogël në Strasburg. Temperaturat negative vrojtohen çdo vit, por nuk janë të shpeshta dhe nuk arrijnë vlera shumë të ulëta. Kështu vrojtohen 17 ditë me ngrica në Brest dhe jo më shumë se 70 në Bergen, ndërsa në Paris në 3 muajt e dimrit vrojtohen 1 ndër 2 ditë së paku natën, ndërsa në Londër, ku është e rrallë që të vrojtohet një temperaturë minimale prej 10°C janë më të mundshme ditët e dimrit ku termometri nuk zbret nën pikën e ngricës. Reshjet janë mjaft mirë të shpërndara gjatë vitit, por sasia totale varion mjaft nga një zonë në tjetrën në lidhje me karakterin e relievit, atje ku kontinenti është përballë oqeanit me ultësira dhe brigje të ulëta, zona merr jo më shumë se 800-900mm reshje në vit, ndërsa në brigjet ku ka zinxhirë të lartë malorë si në Norvegji, në Kili dhe në brigjet amerikano-veriore, të lagura nga Paqësori mund të vrojtohen vlera totale vjetore mjaft më të larta 200-300mm, me maksimume dhe 8 metra në disa zona të Alaskës ose Kilit verior. Kur nuk ka barriera malore pas vijës bregdetare, masat e ajrit me lagështi dhe reshjet depërtojnë më në thellësi të kontinentit por sidoqoftë lartësia e reshjeve varet dhe është funksion i relievit. Megjithëse të gjithë muajt kanë reshje vërehet një rritje e tyre në periudhën e ftohtë të vitit, midis tetorit dhe marsit, për hemisferën veriore. Minimumi pluviometrik i stinës së verës është një karakteristikë e klimës oqeanike tipike dhe mund ti atribuohet një numri më të vogël të tipit me mot të paqëndrueshëm dhe me gradient termik më të dobët midis oqeanit dhe kontinentit. Duhet ti afrohemi zonës polare të klimës oqeanike për të gjetur një zgjatje më të qëndrueshme të mbulesës së dëborës, ku mbulesa e dëborës prej vetëm pak javësh në Bergen, në të kundërt mund të zgjasë nga fillimi i dhjetorit deri në fund marsi në Trondheim. Kur i afrohemi kufirit verior të zonës me Klimë Atlantike Aquitania, brigjet e Oregonit dëbora është shumë e rrallë dhe përgjithësisht e sjellë nga ajri arktik, që vrojtohet kryesisht në fund të dimrit. Shtrirja e gjërë në gjerësi gjeografike e zonave me klimë oqeanike nuk mund të mos gjenerojë disa ndryshime midis zonave në anët e kundërta të globit, pra është e lehtë të kuptohet diversiteti i kushteve që ekzistojnë midis Korunjes (La Coruna), temperatura mesatare vjetore 13.9°C dhe në Rejkjavik 5°C dhe midis Bergenit dhe Bordeaux që në dy muajt ekstreme kanë njëri 1.7°C e 14.2°C dhe tjetri 5.1°C dhe 19.4°C.
Klima oqeanike e tranzicionit
Nëse në pjesën perëndimore të Kanadasë dhe në Alaskë prezenca e zinxhirëve malore parlele me brigjet imponon një kalim të shpejtë në klimën kontinentale boreale (D), nuk ndodh njësoj në Evropë, ku klima oqeanike depërton mjaft më në thellësi të kontinentit duke pësuar një degradim në sensin kontinental. Këto transformime i përkasin si regjimit termik ashtu edhe atij pluviometrik, për sa i përket temperaturës vërehet një rritje e lehtë e mesatareve të verës deri në 20°C në korrik në Ultësirat e Moravisë dhe një ulje më e ndjeshme është në temperaturat dimërore, që mund të arrijnë dhe vlera negative, duke na rezultuar kështu një theksim në ecurinë e amplitudës së temperaturës deri në 20-25°C. Nga ana tejtër regjimi i reshjeve nxjerr në pah evoluimin në sensin kontinental me spostimin e maksimumit të reshjeve në tre muajt e verës. Dimri bëhet stina më me pak reshje, ku ato bien më shumë në formën e dëborës.

Klimat Mikrotermike (D)

Klimat Mikrotermike (D) Vendet ku mbretron Klima Mikrotermike (D) Klimat mikrotermike kontinentale në raport me ato detare zënë sipërfaqe të gjëra në Euroazi dhe në Amerikën veriore: Evropa Lindore nga Polonia në Aruale, pothuaj gjithë pjesën aziatike e Rusisë në veri të paralelit 5 0 gradë me përjashtim të zonës bregdetare në Artik, Kina veriore dhe ishulli Japonez i Hoakidos në kontinentin amerikan, pjesa veriore e SHBA dhe pothuaj gjithë territori i Kanadasë (me përjashtim të pjesës bregdetare në Detin Artik), pra shtrihen deri në hemisferën boreale, ku shtrirja modeste e tokave në jugë të tropikut të Kaprikomos nuk lejon në asnjë pjesë të hemisferës Australe formimin e klimave me kontinentalitet të fortë. Në fakt nëse në Evropë (me përjashtim të Skandinavisë), kalimi nga klima oqeanike në atë kontinentale mikrotermike ndodh jo me shpejtësi dhe gradualisht (në ultësirat që shtrihen nga Franca veriore në Rusi), në Amerikën e Veriut zinxhiret malore perëndimore vendosin një kufizim të fortë në klimën e influencuar nga oqeani. Nga ana tjetër në lindje të këtyre maleve nuk ndodhen menjëherë klimat kontinentale, por një zonë e gjatë me klima të thata e gjysmë të thata: (BWk dhe BSk) që shtrihen nga Gjiri i Meksikës deri në paralelin 52°. Karakteristika themelore e klimave mikrotermike është dimri i gjatë e i ftohtë, gjatë të cilit toka ngelet gjithnjë e mbuluar nga dëbora. Vera e ngrohtë, megjithëse e ndryshme gjatë gjerësive gjeografike është një aspekt tjetër kryesor i klimave boreale. Ato sjellin temperatura mjaft të larta sa që të lejojnë një vegjetacion pyjor edhe në Jakutia dhe në ekstremin verior kanadez. Vlerat mesatare të muajit më të ngrohtë janë mjaft më të larta se në klimat detare për po të njëjtën gjerësi gjeografike: p.sh. në Sant Peterburg regjistrohet në korrik 18.4°C dhe Jukutsk 19.5°C, megjithëse jemi pranë gjerësisë gjeografike 60 gradë. Ecuria termike vjetore (Amplituda) është shumë e fortë dhe rritet në Euroazi, gjatë postimit për në brendësi të kontinentit derisa kalon 40° dhe bile 60° në Siberinë Verilindore. Kjo i dedikohet jo shumë temperaturave të verës që variojnë pak nga një vend në tjetrin, por më tepër atyre dimërore që ulen progresivisht nga -10 deri -15°C në Ultësirën Sarmatiko deri në -40°C apo -50°C në Siberi. Nëse dy stinët ekstreme janë mjaftë të dallueshme, pranvera e vjeshta paraqiten ndryshe. Pranvera përbëhet nga pak javë me mot relativisht të qetë e të ngrohtë, që pason shkrirjen e mbulesës së dëborës, ndërsa vjeshta është shpesh mjaft e gjatë dhe e bukur, ku regjistrohen pak inversione të ajrit të ftohtë, ditët janë të buta, por gjatë netëve fillojnë të vrojtohen ngricat. Dimri arrin vetëm kur bie dëbora e parë e cila duke modifikuar albedon, ndryshon dukshëm situatën e bilancit të rrezatimit. Vera është stina që sjell reshjet më të shumta ndërsa dimri ofron një sasi të kufizuar në formën e dëborës. Lartësia e kufizuar e reshjeve të dimrit vjen si pasojë e lagështisë së pakët në ajrin e ftohtë, situatës anticiklonare që sjell një fluks erërash nga brendësia e kontinentit drejt oqeanit dhe pengon arritjen e paqëndrueshmërie të qarkullimit perëndimor, karakteristikave të vetë zonës anticiklonare që përcakton inversionin termik në shtresat e ulëta dhe rrit qëndrueshmërinë e ajrit.

Klima Kontinentale e lagët (Dbf dhe Dbw)

klima kontinentale zonat e ftohta Zonat me Klimë të ftohtë                   zonat e freskëta Zonat me Klimë të freskët Kjo lloj klime është më tipikja e klimave kontinentale dhe përfshin së paku në Euroazi një pozicion ndërmjetës midis zonave me klimë Atlantike dhe atyre me klimë kontinentale ekstreme me dimër të ashpër të Siberës qendrore lindore. Më saktë në këtë tip klime përfshihen Gjermania lindore, Polonia, pjesa qendrore jugore e Gadishullit të Skandinavisë, pjesa jug-perëndimore e Rusisë deri në një vijë San Peterburg – Celiabinsk – Karaganda, në Azinë Lindore: lugina e poshtme e Amur-it, me ekstremin lindor të Rusisë dhe ishullin Hokaidos, në Amerikën Veriore pejsa veriore e SHBA në veri të gjerësive gjeografike 41 gradë dhe në lindje të meridianit 100 gradë, si dhe pjesa jugore e Kanadasë nga Alberta dhe Manibota deri në pjesën veriore të liqeneve të mëdha, duke arritur deri në grykëderdhjen e San Lorenco. Dimri i gjatë dhe i ashpër, vera më e shkurtër por e ngrohtë, stinët ndërmjetëse pak të dukshme, janë karakteristikat kryesore të kësaj klime, që për më shumë nuk paraqet karakteristika uniforme në të gjithë zonat e sipërtreguara. Në zonën e gjerë Euroaziatike temperatura e muajit më të ftohtë ulet progresivisht me kalimin drejt Lindjes, në janar vrojtohet një temperaturë mesatare -3.9°C në Varshavë, -9.4°C në Moskë, -17.8°C, dhe ashpërsia dimërore ulet kur afrohemi në ekstremin e Lindjes së Largët siç dëshmon dhe vlera -14.4°C në Vladivostok dhe -6.7°C në Saporo. Në Amerikën Veriore vlerat më të ulëta i takojnë zonave më të brendshme dhe ato më të buta zonave pranë Atlantikut, në fakt nëse në Edomton (Alberta) dhe në Duluth regjistrohen -13.3°C, në Montreal shënohet -9.4°C dhe -4.4°C në Halifaks (Skocia e Re). Temperaturave të ulëta të Dimrit i shtohet dhe zgjatja e madhe e periudhës me ngrica që natyrisht ndryshon me gjerësinë gjeografike ku vrojtohet 150 ditë në Varshavë, 180 ditë në Moskë dhe së paku 200 në Siberinë Perëndimore. Për sa i përket reshjeve kushtet nuk janë të njëllojta gjithandej dhe nuk mund të bëhen përgjithësime. Ka zona si në pjesën e Amerikës Veriore, Siberi dhe Mançuri ku reshjet përgjithësisht nuk i kalojnë 60cm, dhe pjesë të Lindjes në SHBA dhe Kanada, Evropës Lindore dhe Japonisë Veriore, ku bien reshje më të shumta. Reshjet e stinës së dimrit bien në pjesën më të madhe në formë dëbore por sasia dhe numri i ditëve me dëborë variojnë mjaft sipas shkallës së kontinentalitetit. Nëse në Minesota, në zemër të kontinentit Amerikan, 70 ditët me dëborë formojnë një shtresë dëbore me lartësi 130cm dhe me zgjatje 120 ditë, në New England, dëbora mbulon tokën për një periudhë prej afro 110 ditësh, por sasia është më e madhe duke arritur deri në lartësinë 2m. Me mjaft reshje dëbore janë zonat e Evropës lindore, në Varshavë vrojtohen 60 ditë, në Moskë 75 ditë me dëborë dhe më pas, si sasia, numri i ditëve dhe frekuenca ulen me kalimin për në ultësirat e Siberisë që janë të ftohta por të thata. Në vijim në zonat që i afrohen Paqësorit vrojtohet përsëri një rritje në rënien e dëborës, ku në Saporo vrojtohen 70 ditë me dëborë gjatë vitit. Mbulesa e saj këtu qëndron nga nëntori në prill dhe në periudhën janar-mars lartësia arrin 1m. Në tërësi në zonat më të brendshme sasia e dëborës së rënë është më e vogël, lartësia e shtresës më e vogël por që qëndron për një kohë më të madhe, si pasojë e të ftohtit më të madh, kështu kalohet nga 100 ditë në Minsk dhe Rige në 140 ditë në San Peterburg, duke arritur në 160 ditë në Ultësirat Siberiane. Shkrirja e dëborës ndodh nga prilli në maj, por që shpesh pengohet në pjesën perëndimore të Rusisë dhe në atë lindore të Kanadsë nga invazionet e masave ajrore të Artikut, të cilat gjenerojnë reshje të reja të dëborës së vonshme. Zhdukja e shtersës së dëborës vjen gradualisht pasi dëbora e shkrirë ditën nën rrezet e Diellit ngrin natën, por sapo një pjesë e mbulesës së dëborës zhduket, procesi përshpejtohet pasi modifikohet dukshëm dhe vlera e albedos, rrezatimi diellor bëhet më efikas, retë e inversionit s’duken më dhe temperatura rritet me shpejtësi dhe kur kjo dukur ndodh është fundi i dimrit. Klima kontinentale e tipit të ngrohtë (Dalf dhe Daw) – Ajo shtrihet në pjesën më jugore të zonave me klimë kontinentale dhe karakterizohet kryesisht nga një verë e ngrohtë ku 1-2 muaj kanë temperaturën mesatare mbi 22°C. Në SHBA ku klima quhet dhe ( Cornbelt climate ) ajo shtrihet nga Kansas dhe Nebraska deri në brigjet Atlantike, brenda një zone që është mjaft e shtrirë në gjerësi gjeografike në pjesën e brendshme midis 37° dhe 42° në afërsi të Rocose, por që kufizohet në drejtim të lindjes dhe verilindjes derisa përfundon në det me një rrip të ngushtë gjatë brigjeve të Connectikut. Në Evropë ky tip klime vrojtohet në luginën e poshtme dhe të mesme të Danubit ku përfshihen një pjesë e territorit të Hungarisë, Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës, Serbisë, Maqedonisë dhe një pjesë e Rumanisë. Në Azi përfshin pjesën më të madhe të Koresë, Maniçurisë dhe brigjet kineze rreth gjirit të Liao – Tung. Kjo zonë aziatike ka një dimër pothuajse të thatë dhe klasifikohet si (Daw), ndryshe nga dy zonat e mësipërme Europanie dhe Amerikano Veriore të cilat marrin një pjesë të reshjeve edhe gajtë dimrit dhe përfshihen në grupin (Daf). Vera shumë e ngrohtë e gjatë dhe e pasur me reshje është karakteristika kryesore e këtij tipi verior të klimave mikrotermike kontinentale. Ja disa shembuj: në Omaha (Nebraska) regjistrohet në korrik një mesatare prej 25°C, në Bukuresht 22.8°C dhe në Peking 26.1°C. Duke qenë se ngrohtësia e madhe e krijuar shoqërohet dhe me lagështi atëherë në këto zona krijohen kushte zagushie, që ndikojnë jo mirë tek njeriu saqë edhe natën nuk ka ndonjë përmirësim, pasi ftohja e natës zvogëlohet për shkak të lagështisë. Dimërat janë relativisht të ftohtë pasi rrallë temperaturat mesatare e muajit më të ftohtë kalon nën -6°C, kështu në Omaha në muajin janar shënohet -5.6°C, në Bukuresht -3.6°C dhe në Peking -4.7°C. Stina e dimrit shpesh ndërpritet nga ditë të buta e të ngrohta, si pasojë e flukseve të masave të ajrit tropikal të cilat rrisin ndjeshëm temperaturat e ditës. Reshjet në përgjithësi nuk janë të shumta, maksimumi në muajt më të ngrohtë është i njëjtë pothuaj në të gjithë zonat e kësaj klime (Da), por në zonën Kineze ka një përqendrim në stinën e verës, ndërsa dimrit është pothuajse i thatë. Kështu nëse në Omaha vera sjell 41.4% të totalit të reshjeve vjetore (737mm) dhe dimri ka vetëm 1.6%. Dëbora është e pakët me rreth 30 ditë në zonat Evropiane dhe ato Amerikano Veriore dhe mjaft më e rrallë në ato Kineze, ku lagështia në dimër në këto zona është e kufizuar.

Klima Kontinentale Subarktike (Dcf, Dcw, Ddf)

klima kontinentale subarktike Klima Kontinentale Subarktike e njohur si ( Tundra Malore ). Midis klimave mikrotermike boreale, ajo subarktike përfaqëson atë më të ftohtë me dimrat shumë të ashpër që nuk vërehen në asnjë pjesë tjetër të globit, me një shkallë të lartë të kontinentalitetit, e cila në disa zona arrin edhe vlerat absolute për të gjithë globin. Në Euroazi në tipin e kësaj klime (Dc) përfshihen Norvegjia e brendshme, Suedia, Finlanda, pjesa e Rusisë në vijnë e San Peterburg – Celiabinsk – Karaganda, por ndërkohë pjesa nga Siberia veri-lindore midis Oimekon, Jakutsk dhe Verkhojansk, ku gjendet dhe poli i të ftohtit në hemisferën tonë për shkak të temperaturave të ulëta dimërore ka klimë (Dd), në Amerikën Veriore vrojtohet klima (Dc) e Alaskës dhe e pjesës më të madhe të territorit të Kanadasë, në veri të vijës Sinuosa që kalon nga grykëderdhja e San Lorenzi, skajit verior të liqeneve të mëdha dhe liqenit Winnipeg dhe prej këtu deri në Spartiaque të zingjireve bregdetare, ku ana perëndimore së bashku me zonën bregdetare ka klimë (Cfb). Klima Subarktike në tërësi përmbledh një hapësirë shumë të gjerë që koinçidon në pjesën më të madhe me zonën e përhapjes së pyjeve koniferë, Tajgën në Rusi, gjë që në njëfarë mënyre i ka dhënë edhe emrin Klima e Tajgës, me të cilën edhe njihet shpesh. Kufiri i saj polar ravijëzohet nga izoterma 10°C për muajin korrik, që shënon dhe kalimin e pyllit të Tundrës, pra dhe të kalimit nga klima subarktike në atë të klimës së ftohtë polare. Kushtet termike ekstreme jepen nga shembujt në vijim: në Jakutsk, që përfaqëson tipin më të ftohtë (Ddw) mesatarja e temperaturës së muajit korrik është 18.9°C më e lartë se ajo e Londrës dhe Berlinit por ajo e muajit janar është -43.3°C pra me një amplitudë vjetore prej 62.2°C, në Verhojansk vlerat respektive janë: +15.5°C dhe -50.5°C, me një amplitudë vjetore prej 66°C. Në pjesën e brendshme të Kanadasë dimërat nuk janë aq të ashpër, siç kjo jepet dhe nga sa vijon: në Fort Vermilion, një prej zonave më të ftohta, regjistrohet në muajin korrik temperatura 15.6°C dhe në janar -25.6°C. Rezulton se në të gjithë Amerikën Veriore mungon tipi i klimës (Dd), temperatura e janarit më e vogël se -38°C, që është prezente në Siberinë verilindore. Në zonat më pranë detit, dimri natyrisht nuk sjell mesatare të ulëta dhe në fakt në janar vrojtohen vlera mbi -15°C, në Skandinavi dhe në brigjet lindore të Rusisë.
I ftohtohti i dimrit dhe amplituda zvogëlohen gradualisht gjatë spostimit nga pjesa e brendshme e Siberës drejt brigjeve detare të Arktikut, ku vrojtohet një verë pothuajse e ftohtë dhe dimra jo shumë të ashpër. Në tërësi dimri Siberian sjell temperatura më të ulëta sesa ato Kanadeze, për shumë arsye, dhe kjo nga një anë pasi kontinentaliteti aziatik është shumë i gjerë dhe për pasojë favorizon formimin e klimave kontinentale ekstreme, nga ana tjetër për faktin se malet e Siberisë Lindore pengojnë lëvizjen e masave të ajrit të ftohtë oqeanik, duke ndihmuar kështu në stabilizimin e një zone të gjerë anticiklonare. Ky tip grumbullimi i masës së ajrit nuk mund të vrojtohet, së paku në të njëjtën masë në zonat kanadeze, ku s’ka as male në pjesën lindore. Së fundi, duhet kujtuar se një prej faktorëve që e bën kaq të ashpër klimën këtyre zonave të gjerësive gjeografike të larta është dhe zgjatja e gjatë e natës, saqë në solsticin e dimrit, në 60 gradë gjerësi gjeografike, ka vetëm 5.7 orë me ditë dhe në gjerësitë gjeografike 65 gradë vetëm 3.3 orë, dhe mos harrojmë se s’kemi kaluar ende përtej Rrethit Polar. Vera është relativisht e ngrohtë edhe pse e shkurtër, dhe nëse intensiteti i rrezatimit diellor nuk është shumë i fortë ai kompensohet pjesërisht nga dita e gjatë dhe rrjedhimisht dhe nga nata mjaftë e shkurtër, që së paku zvogëlon ftohjen e natës: në 60 gradë gjerësi gjeografike gjatë solsticit të verës zgjatja e ditës është 18.8 orë dhe në 65 gradë gjerësi gjeografike është 22.1 orë. Kohëzgjatja e shkurtër e verës sjell me vete dhe një periudhë vegjetacioni të shkurtër, gjë kjo që lidhet dhe me faktin se periudha pa ngrica është afro 50-70 ditë dhe në ato më të favorizuara Ontario, Quecbec, pak më shumë se 100 ditë. Nga ana tjetër, nëse në zonat e gjerësive gjeografike mesatare janë nga ato pak ditë me ngricë në dimër që përbëjnë një problem për bujqësinë, këtu janë ngricat e mes verës pengesa më e madhe për përhapjen e zhvillimin e disa kulturave në tokat subarktike. Reshejet në tërësi janë të pakta, me një maksimum në muajt e verës por që vrojtohen dhe në stinët e tjera saqë dhe vetë dimri s’është tërësisht i thatë.

Klimat polare (E)

Vedet me klimë polare Vedet ku mbretron klima Polare - Subpolare . i ftohti është elementi dominues dhe bile tiranik në klimat polare: në fakt ashtu siç zonat ndërtropikale dallohen për një mungesë edhe së paku të një periudhe të shkurtër të ftohtë, edhe këto zona polare dallohen për mungesën e një periudhe të ngrohtë. Një tjetër karakteristikë e veçantë e tyre janë kushtet e ndriçimit, ku vrojtohet dita e gjatë (Verës) dhe nata e gjatë (Dimrit). Ky fenomen ka rëndësi të madhe në analizën e ecurisë vjetore të temperaturës, ku para së gjithash në zonat pranë poleve ajo merr karakteristikat e ciklit termik të zonave tona. Temperatura ulet shpejt në fillim të netëve polare dhe pastaj më ngadalë, duke shënuar minimumin, pikërisht kur Dielli rikthehet përsëri mbi horizont. Temperatura më e ulët e regjistruar mbi tokë është ajo e Vostkout në Antarktidë, prej -88.3°C me 24.8.1960, kur Dielli kishte vetëm 2 ditë që ishte rishfaqur. Gjatë verës Dielli nuk perëndon për një periudhë pak a shumë të gjatë, ndërkaq rrezatimi teorik shënon vlera shumë të larta, por temperatura ngelet e ulët pasi këndi i rënies së rrezeve është i vogël dhe ato duhet të përshkojnë një shtresë mjaft të trashë të atmosferës, që zvogëlon dukshëm aftësinë ngrohëse, ndërkohë që një pjesë e mirë e energjisë diellore deri 80%, reflektohet nga dëbora dhe akulli ose konsumohet në shkrirjen e dëborës dhe në proceset e avullimit dhe sublimimit: këto janë arsyet përse edhe pse vijon rrezatimi mungon një verë e vërtetë, ashtu si edhe pse në disa zona temperatura mesatare e muajve të verës arrin vlera pozitive. Për sa i përket vlerave të temperaturës duhet thënë se mesatarja e muajit më të ftohtë varion mjaft midis zonave bregdetare dhe atyre kontinentale. Ngrica e vazhdueshme pa ndonjë ditë me shkrirje të saj, ka një zgjatje të gjatë dhe që është shumë prezente dhe në ato zona që konsiderohen si më pak të ashpra: p.sh. në grykëderdhjen e Lenës, ngrica vijon për 7 muaj, në ishullin Wragnel 8 muaj dhe së fundi në Tokën e Elesmerës 10 muaj e gjysmë. Amplituda vjetore i kalon 40°C. P.sh. në Sagastyr në deltin e Lenës, kalohet nga +4.9°C në Korrik në -38°C në Shkurt (Amplituda = 42.9°C) dhe në stacionin rus të Vostok II në Antarktidë nga -33°C në Janar, në -71°C, në Gusht (A=38°C). Nga ky rregull bëjnë përjashtim ishujt e deteve Australe ku amplituda vjetoer është mjaftë e vogël, në ishujt Macquarie në jug të Australisë është më pak se 4°C, një vlerë kjo e ngjashme me atë të zonës ekuatoriale. Reshjet në zonat polare janë të pakta edhe pse është e vështirë për ti matur, kur ato bien në formë dëbore si pasojë e dendurisë së madhe të erës. Megjithë sasinë totale të pakët, avullimi i papërfillshëm lejon një rrjedhje ujore sipërfaqësore që vrojtohet jo vetëm në formën e rrjedhjeve ujore, por më tepër të akujve, dhe është pikërisht ky avullim pothuajse zero që ka bërë të formohen akullnaja prej disa mijëra metrash në Greenland dhe në Antarktidë, pavarësisht nga fakti se në qendër të këtyre territoreve paraqiten kushte shkretëtire pra pa reshje.

Klimat e Tundres (ET)

Tundra Tundra . Midis dy tipeve të klimës polare, kjo është më pak e ftohtë dhe vrojtohet vetëm në hemisferën veriore, në brigjet e Euroazisë, të Detit të Bardhë, Ngushticës së Beringut, Spitzbergen, Jean Majën, Islandë e Veriut, pjesën bregdetare të Greenlandes dhe në brigjet veriore të Kanadasë, si dhe të ishujve pranë. Për sa i përket ecurisë së temperaturave ky tip klime karakterizohet nga 3-4 muaj me vlera mesatare pozitive, por me kalim të valëve të shpeshta të të ftohtit të fortë, që shoqërohen dhe me ndryshime të forta të temperaturës. Periudha e shkrirjes dhe zhdukjes së mbulesës së dëborës vërehet në muajt maj – qershor. Në këtë periudhë duhet thënë se nuk krijohen menjëherë rrjedha ujore, por këneta dhe pellgje ujore, pasi shkrirja i përket vetëm pjesës së sipërme të sipërfaqës së tokës, ndërkohë që nëntoka në një thellësi të caktuar ngelet përjetësisht e ngrirë. Qershori sjell një temperaturë që luhatet rreth 0°C dhe po ashtu shtatori, ndërsa korriku e gushti kanë vlera më të larta. Në Sagastyr temperatura mesatare është 4.9°C, në Upernavik të Greenlandes (72°23’V) 5°C, në Quade Hook në Svalbard 4.5°C dhe në Ponds Inlet-Kanada (72°43’V) 5.6°C, por ngrica vrojtohet shpesh gjatë netëve të verës, pra nuk ka asnjë muaj që termometri të mos zbresë nën 0°C. Gjatë muajve të ngrohtë janë të shpeshta mjegullat dhe vranësira, sidomos në zonat pranë bregut ku masat e detit të lirë, të tokave dhe masat e akullit ndodhen pranë. Gjatë verës së shkurtër vrojtohet cikli vegjetativ i bimëve të Tundrës, formacione bimore të përbëra nga myshqe dhe likene si dhe bimë të tjera me shtat të shkurtër, me gjethe të vogla e të forta dhe bashkësi shkurresh ku mbizotëron Betula nana. Këtu është fundi i zonës ku shfaqet vegjetacioni mbi rruzullin tokësor. Sasia e reshjeve është modeste si pasojë e temperaturave mjaft të ulëta. Në zonat që ndodhen nën influencën kontinentale dhe që janë dhe ato me më pak reshje vlerat më të larta vrojtohen në verë, ndërsa në zonat polare oqeanike ka një shpërndarje mujore më të rregullt. Në fakt nëse në Sagastyr bien vetëm në muajin gusht 35mm të 86mm vjetore, që përfaqësojnë dhe totalin e reshjeve vjetore, në Upernavik reshjet më të shumta vrojtohen midis fundit të verës dhe fillimit të vjeshtës, ndërkohë që në Quade Hook ka dy maksimale prej të cilave një në gusht dhe një në nëntor duke e vendosur Svalbard-in në kufirin midis zonave me reshje në periudhën e ftohtë, të influencuar nga Atlantiku dhe zonave polare me predominimin e reshjeve të verës, këto të fundit bien në pjesën më të madhe në formë shiu ose dëbore të shkrirë dhe ato të dimrit në formë dëbore të thatë të përbërë nga gjilpëra kristali të holla akulli, të cilat formojnë një mbulesë të dendur dëbore mbi tokë në formën e rërës.

Klima e ngricës së përjetshme (EP)

antraktika Antraktika ka një Klimë me ngric të përjetshme
( poli jugor ka një siperfaqe prej 14.000.000 km2 )
Ajo paraqet klimën e zonave të mëdha akullnajore të pjesës së brendshme të Greenlandës dhe të Antarktidës si dhe të detit Artik, në disa zona të të cilave temperatura mesatare e korrikut vetëm në këtë muaj është +0.5°C deri në +1.0°C, këto padyshim janë dhe zonat më të ftohta të tokës. Në fakt nëse vlera -70°C e regjistruar në Greenlandë dhe që është dhe rekordi për hemisferën veriore nuk ndryshonë shumë nga temperatura minimale absolute që vrojtohen në Siberi, vlera mjaft më të ulëta vrojtohen nën -80°C çdo vit në Antarktidë. Megjithatë më shumë se vlerat ekstreme, më impresionuese duken temperaturat vjetore. Në një stacion meteorologjik të ndodhur në brendësi të Greenlandës në 70°40’V dhe 40°42’P dhe në lartësi 3000 metra është regjistruar një temperaturë mesatare vjetore -32.5°C me dy ekstreme -51°C në shkurt dhe 13.7°C në korrik. Në Antarktidë vrojtohen Temperaturat më të ulëta në tokë. Gjithashtu në kontinentin e Antarktidës ka një kontrast shumë të theksuar midis zonave të brendshme që kanë lartësi pothuajse gjithnjë mbi 200m dhe njohin ashpërsinë ekstreme të klimës dhe pjesës bregdetare që përfiton nga një influencë butësie e detit dhe që është e pasur me lagështi. Reshjet bien në sasi të pakët, pothuaj të gjitha në formë dëbore, por saktësia e vlerësimit të tyre lidhet me faktin e mungesës së stacioneve si dhe me faktin e ndikimit të erërave që fryjnë dhe që nuk të lejojnë të fitohet një kuadër i plotë mbi reshjet që bien mbi sipërfaqet akullnajore. Për Antarktidën vlerësohet se në qendër bien rreth 50mm në vit, dhe në disa zona periferike 300-400mm, me mesatare për gjithë kontinentin 170mm. Greenlanda duket se është më e favorizuara pasi merr një sasi sa dyfishi rreth 370mm.

go top